
Fillesat e para i pati në “Korin e engjëjve” me Suzana Turkun, përgjatë viteve 2000-2003 dhe në qershor 2004 tek spektakli “Gjeniu i vogël”. Përgatitet tashmë për në Eurosong, që do të zhvillohet në Beograd. Kush është Olta Boka, vajza 16-vjeçare që mori ogurin e mirë nga Pirro Çako natën e dytë të Festivalit të Këngës së fundvitit dhe çmimin e parë më datë 16 dhjetor?! Mos ndoshta 3 herë radhazi fati ka qenë përkrah saj?!Si do të jetë përfaqësimi i saj në gjuhën shqipe në skenën e Eurosong-ut?! Si ka qenë për të kjo botë e intrigave dhe çudirave…
Elsa Lila dhe Pirro Çako ishin fatsjellësit e kësaj vajze me fytyrë fëmije, çizme të bardha deri te gjunjët, këmishë të bardhë dhe jelek sipër – dhe e tillë është – teksa i shkëlqejnë sytë kur kujton puthjen në faqe të Pirros para se të interpretonte “Zemrën lamë peng” në Pallatin e Kongreseve. Është 16 vjeç, numri i shortit të këngëtarit në festivalin e fundvitit ka qenë numri 16 dhe ka pasur fatin të fitojë çmimin e parë më datë 16 dhjetor. Rikujton mbresat e para të festivalit, çmimin e parë; flet dhe lëviz sipas ritmit të një kolazhi muzikor të Këngëve të Shekullit, - spektakël i cili përgatitej për natën e Vitit të Ri në studion e TV Klan-it.
Tashmë ka harruar ato lot dhe emocione që derdhi në skenën e Festivalit të Këngës së 46-të. A duhet të kalojë edhe ajo shumë kohë midis intrigave të artit dhe skenës derisa të arrijë si ata që kanë hipur në atë skenë, Anjeza Shahini, Vëllezërit Prifti e shumë të tjerë. Apo siç tha autori i tekstit dhe njëkohësisht prezantuesi i Këngëve të Shekullit, Pandi Laço “…që ajo ndoshta ishte e vetmja që nuk iu gëzua çmimit”?! (more…)
