West Side Family përzgjidhen nga Televizioni Publik Polak

Landi rrefen surprizen “Si u zgjodhëm mes gjithë artistëve të tjerë shqiptarë”.
Përzgjidhen si absolutisht më të mirët dhe ja ku ku vjen surpriza më e madhe që mund të kenë marrë ndonjëherë. Televizioni Publik Polak ka ftuar për të performuar në një emision live, tre djemtë e grupit “West Side Family”. Ata do të udhëtojnë drejt Polonisë në datën 24 shkurt, duke marrë me vete emocionet dhe vlerësimet maksimale që i bëhet këtij grupi nga publiku mbarëkombëtar. Në këtë intervistë, një prej pjesëtarëve të grupit, Landi tregon ekskluzivisht për “Bluetooth”, ofertën e papritur dhe përzgjedhjen e “West Side Family” në morinë e artistëve të tregut muzikor shqiptar. Veç kësaj ai flet dhe për jetën private, çështjen e shumëpërfolur, marrëdhënien e tij me politikën etj.
Si e pritët ofertën nga televizioni polak?
Së pari më lejoni të falënderoj në emër të grupit disa persona që ndërmjetësuan për vajtjen tonë atje dhe ata janë: Suela Proko (e cila mundësoi adresat e e-mail, tel etj. Po kështu edhe numrat e kontaktit të agjencisë), Marta Przenioslo (është një vajzë polake, e cila ka studiuar në Shqipëri dhe i ka sugjeruar emisionit të mundësojë prezencën e “West Side Family” në këtë emision) dhe zotin Astrit, i cili gjithashtu ka ndërmjetësuar dhe po na ndihmon me procedurat pranë Ambasadës polake. Edhe një herë, faleminderit!
Është një ndër gjërat që “West Side Family”, jo vetëm që do ta kujtojnë gjatë, por edhe do të jenë krenarë. E themi këtë, pasi është një privilegj i madh që ndërmjet mjaft artistëve shumë të mirë shqiptarë, përzgjidhemi ne për të përfaqësuar vendin tonë.
Emisioni në të cilin ne do të marrim pjesë, titullohet “Podro¿e z ¯artem” (që i përkthyer në shqip do të thotë: Të udhëtosh me kënaqësi), i cili shfaqet çdo të diel, në orën 19:00 pasdite, në “Channel 2” (Televizioni Publik Polak).
Ideja e emisionit është si më poshtë:
Njerëz të njohur nga bota e Show-Biz, politika, kultura e sporti, ftohen në këtë emision për të treguar për historitë e tyre të veçanta që kanë zënë vend gjatë karrierës së tyre në vend dhe në botë, si dhe të veçanta nga kultura e vendit të tyre.
Ky emision është jashtëzakonisht i ndjekur në Poloni dhe numëron rreth 3 milionë shikues.
Çfarë diskutuat të tre në grup? Si e shihni këtë ofertë?
Një ndër pikat që organizatorët e emisionit druheshin dhe nuk ishin të sigurt nëse ne do të shkonim apo jo në këtë emision, ishte çmimi, i cili ishte shumë modest, dhe jo në përputhje me kërkesat që ne kemi në performancat tona nëpër koncerte të ndryshme.
Por vajtja jonë atje nuk ka të bëjë me interesa ngushtësisht personale të “West Side Family” (siç mund të jetë çmimi), por shtrihet disi më gjerë. Ne e shikojmë performancën tonë atje si një prezantim të vendit tonë, Shqipërisë në botë, dhe kjo është ajo që NUK KA ÇMIM. Na vjen shumë mirë që në një farë mënyre ne jemi ambasadorët e muzikës shqiptare për këtë herë pranë këtij emisioni dhe lus Zotin që gjithçka të shkojë mirë dhe shqiptarët të mund të krenohen sadopak, jo me “West Side Family”, por me artin shqiptar.
Pse mendoni se ju kanë zgjedhur pikërisht ju dhe jo një tjetër grup të muzikës shqiptare?
E thënë tekstualisht sipas e-mail-it të njërit prej organizatorëve (Luke Sobieraj):
1. Muzika juaj është shumë e bukur.
2. Jeni shumë popullorë (të famshëm) në Shqipëri.
3 Na pëlqeu ideja e këngës tuaj me kryebashkiakun.
A jemi ne më të mirët? Ata thonë që po! (Qesh)
Por thellë tek ju, ku mendoni se qëndron e veçanta, ajo që ju gjithmonë keni tentuar të përçoni tek publiku?
Gjëja më e veçantë, të cilën mund ta cilësoni dhe si çelësin e suksesit tonë është, ORIGJINALITETI dhe besoj që prandaj publiku na do e na mbështet. Gjithmonë i kemi kënduar realitetit ashtu siç është, dhe jo me lajle-lule kot. Kemi qenë krijues dhe jo merri muzikën X-it, tekstin Y-it dhe hajde të bëjmë këngë, e për këtë falënderojmë Zotin për talentin, suksesin e gjithçka!
Me çfarë do të paraqiteni në programin në Poloni? Çfarë do të zgjidhni për të performuar?
“Tirona”, “Hou Çike” dhe “Kena lind per çef”. “Hou çike” është përzgjedhur nga vetë organizatorët, pasi u kishte pëlqyer.
Kur do të udhëtoni drejt Polonisë?
Në 24 shkurt dhe kthehemi në 26.
Duke lënë mënjanë jetën profesionale, cilat janë marrëdhëniet e Landit me politikën? E ndjek atë?
Fatkeqësia e vendit tonë! 18 vjet dhe është bërë në mënyrën më absolute të mundshme tmerrësisht shumë pak!!! Apo duhet të them fare? A jemi ende vallë në periudhë tranzicioni? Çdo politikan i majtë apo i djathtë, i qendrës apo i pavarur, duhet të kuptojë mirë që detyra e tij është t’i shërbejë popullit. Nuk jam kritik politike, por jam një qytetar që e shoh realitetin ashtu siç është. Më vjen shumë keq që dëgjoj shpesh njerëz të ndryshëm, biznesmenë, sportistë, artistë që thonë: “Ky vend nuk bëhet!” Kjo shprehje më ngjeth. Nuk di me se ta krahasoj politikën në Shqipëri, por një shembull edhe mund ta jap. Nëse popullin do ta quanim për një moment “Foshnje” e politikën “Nëna”, nuk e di se sa për qind kjo “Nëna” e ka bërë detyrën e saj, pra të kujdeset për këtë “Foshnje”, e cila ka vite që ankohet.
Më lejo që për ta mbyllur, të citoj një varg nga “Bukuria që vret” e MIGJENIT
- Nënë, dua bukë! Dhe nëna hesht…!!!
Çfarë do të donit të ndryshonit?
Atë që nuk është bërë për 18 vjet, të mos HESHTET!
Rama apo Berisha?
(Qesh). Rama për tek “Tirona” dhe Berisha tek “Hou çike”
Po në aktualitetin shqiptar?
Mentalitetin.
Vetë Landi sa e sheh veten në politikë? Mendoni se ndonjëherë do të jeni pjesë e saj?
Do të më pëlqente të bëja shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Do gjej mënyrën më të përshtatshme për mua, që do të më lejojë të jem gjithmonë vetvetja, pa u transformuar, për t’u shërbyer sa më mirë atyre. Idealist? Ndoshta. Ama një kontribut të vogël e kam dhënë. Akoma ndiej kënaqësi të madhe kur më thonë: Na kënaqe me ato këngët! Të paktën për mua nuk ankohet njeri. Shpresoj që së shpejti të mund të realizojmë disa aktivitete për bamirësi me ndihmën e fondacionit VODAFONE dhe këtu përfitoj nga rasti të përshëndes mikun tim, Drejtorin e këtij Fondacioni, Albi GREVA.
Duke kaluar paksa në jetën private…do e festoni Shën Valentinin dhe nëse po, ku?
NUK E FESTOJ! Nuk më pëlqejnë klishetë ose gjërat e bëra për forcë zakoni. Atë feste e jetoj dhe mundohem ta festoj përditë.
Burimi: Revista Bluetooth
Artikuj te ngjashem:
- West Side Family nuk pajisen me vize nga Ambasada Polake
- West Side Family “Jehona” per Edi Ramen
- Martohet Landi i “West Side Family”
- West Side Family kenge Edi Rames per fushaten e PS-se
- Tekste: West Side Family - Ne krahet e tua
- West Side Family dhe Aurela Gace - Jehone (video)
- West Side Family - Mesazh, live ne Blue Jeans





